Inaugurohet Grupit Punues për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtim

Prishtinë, 18 mars 2013 –  Sot është mbajtur takimi i parë dhe inaugurues i Grupit Punues për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtim.

Në këtë takim Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para të pranishmëve tha: “Si gjithnjë, të flasësh për çështjen e drejtësisë tranzicionale në vendet e pasluftës dhe pas konfliktit, është një çështje e ndjeshme dhe, natyrisht edhe ballafaqimi me të kaluarën, e cila do të jetë pjesa kryesore e punës së këtij grupi. Por tema që trajton ky grup punues i Republikës së Kosovës është edhe më e vështirë, ngase ky grup, ka trajtuar dhe tenton ta trajtojë këtë çështje, që është politikë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për t’u ballafaquar me të kaluarën për të ndërtuar një vizion për të ardhmen.

Është një numër i madh i organizatave joqeveritare që janë marrë me shërimin e plagëve të kategorive të ndryshme të viktimave të luftës dhe për këtë Qeveria e Republikës së Kosovës u është mirënjohëse. Natyrisht, edhe institucionet tjera të Kosovës duhet t’i kryejnë punët  e tyre organizative dhe gjithmonë për këtë do të jemi në koordinim me organizatat joqeveritare, por edhe me ato kategori, të cilave ju ka munguar mbrojtja deri më tani.

Fatmirësisht ka shumë vite që Kosova ka krijuar institucionet e veta të cilat janë të profilizuara për të ndihmuar qasje në drejtësi. Ato po e bëjnë një punë të madhe dhe të zellshme, por tani besoj se drejtësia e mohuar për dekada dhe shekuj dhe qasja në drejtësi, që nuk ka qenë e mjaftueshme, do të jenë të rregulluara shumë më mirë dhe do të ketë ende punë për t’u bërë, por besojmë se ky grup punues do të jetë një ndër hallkat kryesore të punës sonë.

Ne kemi krijuar shumë politika që kanë lehtësuar qasjen në drejtësi dhe bashkë me këto politika, kemi tentuar që të bëjmë riparimin e dëmeve të luftës për të gjitha kategoritë, në veçanti për viktimat e luftës.

Dua të theksoj gjithashtu se Qeveria e Kosovës, me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë, ka formuar grup punues, i cili është pritur që një kohë të gjatë për t’u themeluar dhe tani është grupi punues ndërministror për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Formimi i këtij grupi punues është shtyrë deri në këtë kohë, kur kemi konsideruar se shoqëria jonë është e aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën në një mënyrë ose tjetër, që të merr përsipër rehabilitimin e marrëdhënieve, të jetë e gatshme të ballafaqohet me atë, të kërkojë të vërtetën, të kërkojë riparimin e dëmeve të luftës dhe, ashtu siç e kërkon në përgjithësi edhe drejtësia penale.

Natyrisht që edhe raporti me Serbinë, i cili është ende i pazgjidhur, besoj që e rëndon këtë ballafaqim me të kaluarën. Përkundër kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës mendon që ne duhet të ballafaqohemi me të kaluarën, duke marrë parasysh të drejtat dhe pozitën e secilës viktimë të luftës, por në anën tjetër dua të them që nënshkrimi i një traktati të paqes ku do të rregulloheshin raportet Kosovë-Serbi; ku do të rregullohen raportet tona ndërshtetërore; që do të përfshinin  edhe kërkimin e faljes nga Serbia; edhe kërkimin e kompensimit të dëmeve të luftës; edhe kërkimin për çështjen e personave të pagjetur dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me luftën, - do ta ndihmonin në pafundësi edhe krijimin e një ambienti të mirë për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Natyrisht, këtu vlen të përmendet se formimi i këtij grupi punues ka mu këtë qëllim dhe po ashtu ky grup punues do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Jam i bindur se grupi punues do të  fokusohet në veçanti në përpilimin e Strategjisë Kombëtare për Ballafaqim me të Kaluarën. Kjo strategji do të përfshijë së pari mënyrën, metodat e gjetjes së të vërtetës, në bazë të asaj që ky grup konsideron që i duhen qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Dua t’ju siguroj të gjithë ju, sot këtu, se ky grup punues do të merret në hollësi me riparimin e dëmeve të të gjitha viktimave gjatë luftës në Kosovë, para luftës dhe gjatë periudhës tranzicionale.

Siç e përmenda, nuk ka qenë qëllim i Qeverisë së Kosovës që këto kategori të lihen anash dhe të mos përfshihen në politikat tona riparuese

Ky grup punues, pasi t’i analizojë politikat aktuale në përpikëri, do të shoh edhe mënyrën se si mund të përmirësohen ato politika dhe asnjë viktimë të mos mbetet pa u riparuar në kuptimin e kompensimit të dëmeve të luftës, në kuptimin e mohimit që u është bërë deri më tani dhe dëmshpërblimet për dhimbjet që ata kanë kaluar.

Jam sot këtu që të jap mesazhin që çfarëdo politike për riparim, duhet ta përcjellim në kampanja të qarta, me mekanizma përcjellës dhe në mënyra tjera që i ndihmojnë qasjen edhe publikut, por që e ndihmojnë edhe qasjen e drejtpërdrejt edhe të atyre që kanë qenë viktima të luftës.

Është tejet inkurajuese kur shohim se në këtë grup punues përveç institucioneve të Kosovës, kemi shumë organizata joqeveritare, por edhe organizata të huaja dhe ambasada vëzhguese në këtë proces, për çka duhet të falënderoj secilin veç e veç.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju dëshiroj punë të mbarë në themelimin e këtij grupi punues dhe ju garantoj që do ta keni përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën tuaj për të arritur këtë qëllim që është jashtëzakonisht i vështirë, kërkon mund, kërkon guxim, por edhe durim nga qytetarët e Republikës së Kosovës”.
 

Prapa

Arkivi i Lajmeve

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30

Ministria e Drejtësisë në: